Swith to English language
GJYKATAT
E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Ministry of Justice 
Edit

Ministria e Drejtësisë është pjesë përbërëse e strukturës së pushtetit ekzekutiv në Republikën e Shqipërisë. Në dallim nga shumë Ministri të tjera të linjës Ministria e Drejtësisë (ashtu si dhe Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes) ka pak të ngjarë ti nënshtrohet ndonjë ri-organizimi (ndryshim emri apo funksioni) pasi roli i saj është esencial për mirëfunksionimin e balancave midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.

Për një kohë të gjatë, duke filluar që nga viti 1960 deri në vitin 1990, në strukturën e qeverive shqiptare ka munguar Ministria e Drejtësisë. Shpjegimi për një gjë të tillë duhet kërkuar tek fakti se në Shqipërinë e asaj kohe vepronte parimi i unitetit të pushteteve.

Me fjalë të tjera, duke qënë se pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor konsideroheshin pjesë e një gjëje të vetme nuk lindte nevoja për një strukturë të tillë si Ministria e Drejtësisë e cila, siç u tha më lart, garanton mirëfunksionimin e balancave midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Me ndryshimet demokratike që u vërtetuan në Shqipëri në vitet '90 ndryshoi edhe doktrina kushtetuese duke braktisur nocionin totalitarist të unitetit të pushteteve në favor të atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Pa filluar ende mirë ndryshimet demokratike, në maj të vitit 1990, Kuvendi Popullor (sot Kuvendi) miratoi ligjin "Për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë". Ligji i vitit 1990, përgjatë gjithë dekadës së shkuar iu nënshtrua disa ndryshimeve të cilat reflektonin evoluimin gradual të rolit të Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të standarteve demokratike. Në vitin 2001, përsëri në maj, Kuvendi miratoi një ligj të ri për Ministrinë e Drejtësisë i cili shfuqizoi ligjin tashmë 11 vjeçar të vitit 1990.

Po cili është misioni i Ministrisë së Drejtësisë sipas ligjit të ri të vitit 2001?

Shpesh vihet re një lloj konfuzioni në rradhët e qytetarëve në lidhje me rolin e Ministrisë së Drejtësisë. Në thelb, misioni i kësaj Ministrie mund të zbërthehet si më poshtë:

  • Harton vetë projekt-ligje dhe projekt akte normative (sidomos në fushën e drejtësisë);
  • Vlerëson dhe jep mendim të kualifikuar juridik mbi projekt-aktet e përgatitur nga institutcione të tjera të qeverisë dhe institucionet e pavarura;
  • Është përgjegjëse për organizimin e shërbimeve në Gjykata;
  • Është përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e shërbimeve për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale dhe civile;
  • Mbikqyr ligjshmërinë në organizimin e funksionimin e mekanizmave vetë-rregullues të profesioneve të lira si noterë, avokatë etj;
  • Siguron bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën civile dhe penale;
  • Siguron harmonizimin dhe reformimin e legjislacionit shqiptar në tërësi;
  • Bashkëpunon me organet e pushtetit gjyqësor dhe me prokurorinë për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë;
  • Bën rolin e akuzës në procesin disiplinor kundër gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit.

Është shumë e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë drejt ndarjen e funksioneve midis Gjyqësorit dhe Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që kërkesat apo ankesat e tyre të marrin vëmendjen e merituar. Kështu psh. askush nuk mund të ankohet pranë Ministrisë së Drejtësisë për përmbajtjen e një vendimi gjyqësor. Rruga e vetme për tu ndjekur në në një rast të tillë është apelimi në një organ më të lartë gjyqësor.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për mirëfunksionimin e shërbimeve gjyqësore të tilla si: respektimi i orareve të gjykimit, bërja e njoftimeve, shërbimi sekretarial etj. Po kështu çdo qytetar mund të sjellë në vëmendje të Ministrit të Drejtësisë çdo shkelje disiplinore të gjyqtarëve të veçantë (megjithëse nuk ekziston ndonjë procedurë formale për këtë qëllim) dhe ky i fundit mund të kërkojë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë sanksionimin e gjyqtarit në fjalë.

Probleme konceptuale paraqet edhe raporti i Ministrisë së Drejtësisë me shërbimin e Prokurorisë. Ndërsa, sipas kushtetutës shërbimi i Prokurorisë është një shërbim krejt i pavarur nga pushteti ekzekutiv, në tekstin e ligjit për Ministrinë e Drejtësisë thuhet se Ministria e Drejtësisë ushtron "kontroll" mbi veprimtarinë e Prokurorisë dhe i raporton për këtë Presidentit të Republikës i cili ka kompetencën përfundimtare për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të gjithë prokurorëve të tjerë.

Duke pasur parasysh pavarësinë e plotë të Prokurorisë të sanksionuar në nivel kushtetues ajo që duhet kuptuar nga fjala "kontroll" e përdorur në ligjin për Ministrinë e Drejtësisë nuk është asgjë më tepër sesa një vëzhgim i specializuar që i bëhet punës së Prokurorisë nga Ministria dhe eventualisht përdorimi nga kjo e fundit e mekanizmave kushtetues (raporti tek Presidenti) për të kontrolluar punën e shërbimit të Prokurorisë.

Në Ministrinë e Drejtësisë shërbejnë 3 lloje të ndryshme funksionarësh. Grupi i parë është grupi i funksionarëve politikë i cili përbëhet nga Ministri, Zëvendësministrat dhe Kabineti i Ministrit (këshilltarë, zëdhënës etj).

Grupi i dytë përbëhet nga punonjësit e shërbimit civil të cilët janë të supozuar ta fitojnë vendin e tyre të punës nëpërmjet konkurimit dhe të shërbejnë në vazhdimësi në strukturat e Ministrisë. Statusin e shërbyesit civil e gëzojnë të gjitha nivelet e stafit profesional të Ministrisë së Drejtësisë duke filluar nga specialisti i thjeshtë deri tek Sekretari i Përgjithshëm.

Grupi i tretë i punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të cilët në qoftë se kanë dëshirë (dhe në Ministri ka vende vakante) mund të pranohen për të shërbyer në nivelet drejtuese-ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë pa konkurs.