Swith to English language
GJYKATAT
E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Supreme Court 
Edit

Në Republikën e Shqipërisë pushteti gjyqësor ushtrohet vetëm nga Gjykatat në përputhje me Kushtetutën dhe kompetencat e ngarkuara me ligj. Sistemi ynë gjyqësor përbëhet nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore (Gjykata e Shkallës së Parë), Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë, e cila krijohet me ligj.

Gjykata e Lartë, është autoriteti më i lartë gjyqësor. Ajo e ka selinë në Tiranë dhe përbëhet nga 17 gjyqtarë të cilët emërohen nga rradhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet, ose nga rradhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit shqiptarë.

Procedura e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është e thjeshtë. Ai emërohet nga Presidenti i Republikës, pasi të jetë marrë më parë pëlqimi i Kuvendit. Kryetari i Gjykatës së Lartë zgjidhet njëri nga anëtarët e saj i cili emërohet si i tillë nga Presidenti i Republikës, pasi të jetë marrë më parë pëlqimi i Kuvendit. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë fillon me hyrjen në fuqi të dekretit të Presidentit për emërimin e tij. Edhe mandati i Kryetarit të Gjykatës së Lartë llogaritet brenda mandatit të gjyqtarit të kësaj gjykate.

Gjyqtarët dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi, por koha prej 9 vjetësh nuk mund të kufizohet. Qëndrimi në detyrë lidhet edhe me moshën e tyre. Pra, ata mund të qëndrojnë në detyrë deri në moshën 65 vjeç.

Qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private, çka do të thotë se atyre u ndalohet të bëjnë pjesë në parti politike ose të marrin pjesë në veprimtari me karakter politik si dhe të kenë çdo mandat tjetër zgjedhor apo çdo lloj funksioni dhe veprimtarie tjetër publike ose private. Gjithashtu gjyqtarëve u ndalohet të marrin pjesë në administrimin apo trajtimin e shoqërive civile ose tregtare, personalisht ose me anë përfaqësimi.

Para fillimit të detyrës, gjyqtarët bëjnë betimin si më poshtë: "Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale."

Trajtimi protokollar dhe shëndetësor i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, është i njëjtë me atë të deputetit. Ata gëzojnë një lejë të pagueshme vjetore e cila bëhet në muajt korrik dhe gusht. Pra, këto dy muaj, Kolegjet e Gjykatës së Lartë nuk gjykojnë, por gjithsesi edhe në këto dy muaj, ngarkohen disa gjyqtarë për të qenë të gatshëm që të kryejnë ndonjë detyrë të ngutshme.

Paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është e barabartë me pagën e Ministrit, ndërsa ajo e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, 20 për qind më e lartë se paga e gjyqtarit të kësaj gjykate. Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe bashkëshortes u njihet e drejta e pajisjes me pasaportë diplomatike edhe për 3 vjet pas mbarimit të mandatit.

Me plotësimin e mandatit, pra kur kanë kaluar 9 vjet, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, me kërkesën e tij, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Për të drejtat financiare dhe protokollare të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, të parashikuara në dispozitat e ligjit nr.8588, datë 15.3.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë" Këshilli i Ministrave ka nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtyre dispozitave.

Sikurse thamë më lart gjyqtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në deyrë për 9 vjet, por ky mandat mund të mbarojë para kohe. Mbarimi para kohe i mandatit deklarohet nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me propozimin e Kryetarit ose çdo gjyqtari të Gjykatës së Lartë. Kështu mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron kur:

  • Dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi
  • Nuk paraqitet në detyrë pa arsye për më shumë se 6 muaj
  • Mbush moshën 65 vjeç
  • Jep dorëheqjen
  • Deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë

Gjithashtu, gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike dhe për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit.

Megjithatë, edhe pse Kuvendi mund të ketë miratuar shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, ky vendim i Kuvendit duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Ndjekja penale ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit. Ai mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.



Si organizohet dhe funksionon Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë në marrëdhënie me të tretët ose edhe në raste të tjera, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, përfaqësohet nga Kryetari i saj. Kryetari i Gjykatës së Lartë në ushtrimin e funksioneve të tij ndihmohet nga këshilltarët dhe personeli ndihmës.

Detyrat që kryen Kryetari i Gjykatës së Lartë mund të përmblidhen në:

  • Drejtimin e Kolegjeve të Bashkuara;
  • Ndarjen e gjyqtarëve në Kolegje;
  • Kujdesjen për funksionimin normal të Gjykatës së Lartë;
  • Emërimin dhe shkarkimin e ndihmësve ligjorë;
  • Emërimin dhe shkarkimin e personelit të shërbimeve ndihmëse;
  • Bërjen e kërkesave për buxhetin vjetor të Gjykatës së Lartë dhe mbikqyr zbatimin e tij;
  • Miratimin e strukturës, organikës dhe rregullave të brendshme të Gjykatës së Lartë.

Kur Kryetari, për arsye të ndryshme, nuk mund të kryejë detyrat e tij, ai zëvendësohet nga Kryetari i Kolegjit Civil, por megjithatë ky i fundit jo në të gjitha detyrat e zëvendëson Kryetarin.

Kështu Kryetari i Kolegjit Civil zëvendëson Kryetarin e Gjykatës së Lartë vetëm për drejtimin e Kolegjeve të Bashkuara (kur ato gjykojnë) për funksionimin normal të Gjykatës së Lartë, për të lënë kërkesat për buxhetin vjetor të Gjykatës së Lartë dhe për të mbikqyrur zbatimin e tij. Për disa probleme që kanë të bëjnë me administrimin e punëve brenda Gjykatës së Lartë, siç mund të jenë për shembull struktura e Gjykatës së Lartë, rregullat e brendshme të funksionimit të Gjykatës së Lartë, kërkesat për buxhetin dhe ndarja ose lëvizja e gjyqtarëve në Kolegje, Kryetari i Gjykatës së Lartë këshillohet me gjyqtarët.

Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Juridiksion rishikues është për rastet që parashikohen në Kodet e Proçedurave Penale dhe Civile, dhe çështjet shqyrtohen sipas përshtatësisë në Kolegjin Penal ose Civil. Pra, Gjykata e Lartë organizohet në dy Kolegje (Penal e Civil) të cilët gjykojnë ankimet për çështjet gjyqësore sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Proçedurave Civile dhe në Kodin e Proçedurave Penale.

Në Kolegjin Penal gjykohen çështje penale, përfshirë edhe penalet ushtarake, kurse në Kolegjin Civil gjykohen çështje me karakter tregtar, administrativ, familjar, të punës, etj.

Sikurse thamë më lart, ndarja e gjykatave në Kolegje bëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, pasi të ketë marrë më parë mendimin e tyre, kurse lëvizja nga një Kolegj në tjetrin mund të bëhet për arsye të ngarkesës së punës ose të funksionimit normal të Gjykatës së Lartë. Edhe për këto lëvizje merret paraprakisht mendimi i gjyqtarëve.

Anëtarët e një Kolegji, me shumicë votash, zgjedhin nga rradhët e tyre Kryetarin e Kolegjit për një periudhë një vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje. Kolegjet e Gjykatës së Lartë gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë. Kur trupi gjykues, për arsye të ndryshme nuk mund të formohet nga gjyqtarët e një Kolegji, ai plotësohet me gjyqtarë të Kolegjit tjetër, të cilët caktohen me short. Kur në gjykim, si në Kolegjin Civil dhe në atë Penal merr pjesë Kryetari i Gjykatës së Lartë, ai kryeson trupin gjykues. Në të gjitha rastet e tjera trupin gjykues e kryeson Kryetari i Kolegjit përkatës, dhe kur ky mungon, Kolegjin e kryeson gjyqtari më i vjetër.

Përveç gjykimit në Kolegje (Penale dhe Civile) Gjykata e Lartë gjykon edhe në Kolegje të Bashkuara, çka do të thotë se gjykon me trup gjykues të përbërë nga të gjithë gjyqtarët e të dy Kolegjeve. Kur Gjykata e Lartë gjykon në Kolegje të Bashkura, seanca kryesohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe në mungesë të tij, seanca kryesohet nga Kryetari i Kolegjit Civil. Kolegjet e Bashkuara mund të gjykojnë kur në to marrin pjesë jo më pak se dy të tretat e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kurse vendimet merren me shumicën e votave të gjyqtarëve që marrin pjesë në gjykim.

Rastet se kur Gjykata e Lartë gjykon në Kolegjet e Bashkuara janë parashikuar shprehimisht në ligjin " Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë", kështu Kolegjet e Bashkuara gjykojnë kërkesat për njësimin ose ndryshimin e praktikës të mëparshme, çka do të thotë se gjykimi bëhet kur Kolegjet kanë mbajtur qëndrime të ndryshme për çështje të njëjta dhe bëhet e domosdoshme të njësohet (unifikohet) praktika gjyqësore për të mbajtur të njëjtin qëndrim. Këto vendime janë një ndihmë e madhe për gjykatat e niveleve të ulta në zgjidhjen konkrete të çështjeve.

Kërkesa për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore mund të bëhet nga secili Kolegj i Gjykatës së Lartë, nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, si dhe kur vetë Kolegjet e Bashkuara e çmojnë të nevojshme një gjë të tillë. Në këtë rast, me iniciativë ato tërheqin nga çdo Kolegj i Gjykatës së Lartë (Penale ose Civile) çështje të caktuara gjyqësore për t'i gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.

Kolegjet e Bashkuara gjykojnë gjithashtu ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur këto vendime jepen ndaj gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit dhe të Rrethit për shkarkimin nga detyra për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale. Kolegjet e Bashkuara gjykojnë edhe rastet e parashikuara në Kodin e Proçedurës Civile dhe Kodin e Proçedurës Penale si dhe rastet e tjera të parashikuara me ligj.

Kur Gjykata e Lartë gjykon në Kolegje të Bashkuara, gjyqtarët që do të relatojnë çështjen caktohen me short dhe ata në mënyrë të pavarur përgatisin relacionet dhe i paraqesin ato në gjykim. Vendimet e Gjykatës së Lartë, si ato që japin Kolegjet, ashtu dhe ato të Kolegjeve të Bashkuara duhet të shpallen të arsyetuara jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i shqyrtimit gjyqësor.

Vendimet e Kolegjeve të Gjykatës së Lartë, së bashku me mendimet e pakicës (kur është rasti) botohen në buletinin periodik të Gjykatës së Lartë. Vendimet e Kolegjeve të Bashkuara për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore botohen në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë pranë tyre ndihmësa ligjore. Ata mund të kenë deri dy të tillë, të cilët i përzgjedhin vetë ndërmjet juristëve që plotësojnë kushtet ligjore për t'u emëruar gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë ose Gjykatës së Apelit. Edhe trajtimi financiar i tyre është i njëllojtë me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit apo Apelit sipas emërtimit që i bëhet duke mbajtur parasysh përvojën dhe aftësitë. Ndihmësit ligjorë emërohen dhe largohen nga detyra me urdhër të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, me propozimin e gjyqtarit përkatës.

Ndihmësit ligjorë studiojnë ankimet, dosjet gjyqësore, përgatisin relacionet për çështjet që janë në gjykim duke dhënë mendimin e tyre, u përgjigjen ankesave, përgatisin materialet e nevojshme, si dhe kryejnë çdo detyrë tjetër që u ngarkohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë.

Dosjet ligjore u ndahen ndihmësve ligjorë me short dhe pasi ato i kanë studiuar ato, përgatisin relacionin përkatës dhe relatojnë në Dhomën e Këshillimit përpara një kolegji me 5 gjyqtarë, ku pa praninë e palëve, vendoset mospranimi i relatimit ose kalimi i çështjes për gjykim në Kolegjin përkatës.




Administrimi i shërbimeve të Gjykatës së Lartë

Shërbimet ndihmëse në Gjykatën e Lartë drejtohen nga kancelari. Kancelar emërohet një person i cili duhet të ketë mbaruar studimet për jurist dhe të këtë ushtruar profesionin e juristit për një periudhe jo më pak se 7 vjet. Emërimi dhe shkarkimi i tij bëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë.

Kancelari organizon shortin gjyqësor. Kjo do të thotë se relatori i çështjes, si në Kolegjin Civil edhe në atë Penal, është ai gjyqtar që me short i ka rënë një çështje për të relatuar. Kancelari gjithashtu i propozon Kryetarit të Gjykatës së Lartë emërimin dhe shkarkimin e personelit të shërbimeve ndihmëse të Gjykatës së Lartë.

Shërbimet ndihmëse në Gjykatën e Lartë kryhen nga Sekretaria Gjyqësore, Sektori i Administratës, i Financës, Informatizimit, i Rregjistrimit, i Ruajtes së Dokumentave, i Ruajtjes së Rendit të Brendshëm, i Studimeve e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Biblioteka. Për shërbime të tjera ndihmëse, Kryetari i Gjykatës së Lartë me propozimin e kancelarit, mund të krijojë sektorë të tjerë.

Rregullorja e brendshme e Gjykatës së Lartë, e miratuar nga Kryetari i saj, bazuar në nenin 7 shkronja "e" e ligjit " Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë", në mënyrë të detajuar ka përcaktuar detyrat e të gjithë shërbimeve ndihmëse sipas sektorëve.

Lëvizja e dosjes në Gjykatën e Lartë

Kur mbërrin dosja në Sekretarinë e Gjykatës së Lartë, kjo e fundit kontrollon nëse:

  • Ndodhet në dosje rekursi dhe dokumentat shoqëruese dhe nëse,
  • I është komunikuar palës tjetër ose prokurorit hapja e rekursit dhe në se ndodhet në dosje dëftesa e komunikimit të tyre.

Në rast se dokumentat e mësipërme nuk janë, ose nuk janë kryer veprimet e nevojshme si më sipër, dosja i kthehet nga Sekretaria Gjykatës që i përket ose nga e cila ka ardhur. Në rast se këto veprime janë kryer dhe dokumentet e mësipërme janë të rregullta e të plota, Sekretaria e Gjykatës së Lartë, një herë në javë shpall tek vendi i njoftimeve listën e dosjeve që i kanë mbërritur në mënyrë që të vërë në dijeni të interesuarit se dosja mbërriti në Gjykatën e Lartë.

Një herë në javë, Kancelari duke respektuar rradhën e mbërritjes së dosjeve organizon shortin për ndarjen e tyre midis ndihmësve ligjorë.

Siç e kemi thënë edhe më lart, çdo anëtar i Gjykatës së Lartë ka një ndihmës ligjor. Ky i fundit mbasi studion çështjen, përgatit me shkrim një relacion të plotë e të saktë për mbrojtjen e dosjes, për mënyrën e zgjidhjes së çështjes nga gjykatat, pretendimet e palëve, problemet ligjore që dalin dhe në fund jep mendimin e tij nëse rekursi duhet pranuar apo refuzuar.

Ndihmësi ligjor relaton çështjen në Kolegjin Seleksionues. Quhet Kolegj Seleksionues mbasi ai ndan çështjet dhe vendos për pranimin ose jo të rekursit duke u bazuar në mungesën ose jo, të shkaqeve ligjore. Ky Kolegj i përbërë nga pesë gjyqtarë, ndërmjet të cilëve duhet të jetë edhe gjyqtari me të cilin punon ndihmësi ligjor relatues, e shqyrton çështjen në Dhomën e Këshillimit, pa qenë të pranishme palët e interesuara. Në Dhomën e Këshillimit të Kolegjit Seleksionues vendoset nëse rekursi do të refuzohet ose do të pranohet dhe çështja do të kalojë për gjykim në Kolegjet e Gjykatës së Lartë (Penal ose Civil sipas çëshjes).

Si në rastin kur vendoset mospranimi i rekursit, ashtu dhe kur vendoset kalimi për gjykim në Kolegjet e Gjykatës së Lartë, pra pasi çështja është relatuar në Kolegjin Seleksionues, dosjet kthehen përsëri në Sekretari për të bërë shënimet e nevojshme.

Kur vendoset mosshqyrtimi i çështjes, domethënë mospranimi i rekursit, çështja konsiderohet e përfunduar, merret vendimi përkatës dhe del njoftimi në vendin e caktuar në hyrje të Gjykatës për të marrë dijeni të interesuarit. Mbas kësaj, dosja duke patur brenda edhe vendimin e mospranimit të rekursit i dërgohet Gjykatës së Rrethit që i përket.

Kur në Kolegjin Seleksionues vendoset që çështja të kalojë për gjykim, dosja kthehet në Sekretari dhe pret rradhën për t'u gjykuar nga Kolegji. Një herë në dy javë organizohet shorti për të ndarë çëshjet midis gjyqtarëve. Mbas shortit hartohet lista dhe caktohet dita e gjykimit. Këto lista afishohen tek vendi i njoftimeve të paktën dy javë para ditës të gjyqit, në mënyrë që palët e interesuara të marrin dijeni. Mbas afishimit, javën e parë dosja është në dispozicion të avokatëve e të prokurorit për ta studiuar, kurse javën e dytë dosjen e mban për ta studiuar gjyqtari relator (gjyqtari që i ka rënë dosja me short).

Në seancë gjyqësore, relatori i çëshjes paraqet faktet që kanë rëndësi për marrjen e vendimit, përmbajtjen e vendimit të ankimuar dhe shkaqet e ngritura në rekurs ose në kundër-rekurs. Pas relatimit, kryesuesi i seancës fton avokatët e palëve të paraqesin mbrojten e tyre. Në gjykimin në Gjykatën e Lartë palët përfaqësohen vetëm me avokatë, sepse në Gjykatën e Lartë çëshjet gjykohen vetëm për shkaqe që janë ligjore (të ligjit material apo procedurial dhe Gjykata e Lartë nuk i hyn çështjes në themel) të cilat ngrihen dhe argumentohen vetëm duke patur njohuri të posaçme ligjore. Nuk ka asnjë pengesë që së bashku me avokatin të jetë edhe pala e interesuar si dëgjuese. Mbas mbrojtjes që bëjnë avokatët të cilët paraqesin mendimet e tyre me shkrim i jepet fjala prokurorit (kur kemi të bëjmë me një çështjeje penale) i cili paraqet gojarisht mendimin e tij.

Gjatë gjykimit në Gjykatën e Lartë nuk lejohet replika, pra kjo do të thotë se gjithçka që parashtrohet si nga rekursi apo avokati i palës tjetër, është e parapërgatitur dhe nuk është në vartësi të problemeve që do të dalin gjatë gjykimit. Megjithatë, për probleme të paparashikuara, avokatët kanë të drejtë t'i paraqesin gjykatës mendimet e tyre shkurtimisht me shkrim.

Pas diskutimit të çështjes në seancë gjyqësore, gjykata tërhiqet në Dhomën e Këshillimit dhe merr vendimin përkatës. Në raste të veçanta, për shkak të natyrës të ndërlikuar apo rëndësisë së çëshjes, marrja e vendimit mund të shtyhet për aq ditë sa është e nevojshme. Vendimi nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Kolegjit. Ai merret me shumicë votash. Pakica, kur është rasti, mendimin e saj e jep me shkrim.

Pas shqyrtimit të çëshjes, Kolegji Civil mund të vendosë:

  1. Lënien në fuqi të vendimit;
  2. Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit;
  3. Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit me një tjetër trup gjykues;
  4. Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Rrethit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit (Gjykatën e Shkallës së Parë) me një tjetër trup gjykues;
  5. Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Apelit;
  6. Prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit dhe të Gjykatës së Apelit dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
  7. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mbas shqyrtimit të çështjes mund të vendosë:
  8. Lënien në fuqi të vendimeve ndaj të cilit është bërë rekurs;
  9. Ndryshimin e vendimit për cilësimin ligjor të veprës, për llojin e masën e dënimit, për pasoja civile të veprës penale;
  10. Prishjen e vendimit dhe zgjidhjen e çështjes pa e kthyer për rishqyrtim;
  11. Prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rishqyrtim.

Mbasi mbaron gjykimi në Kolegjet përkatëse, dosja shkon në Sekretari ku bëhen veprimet përkatëse si rregjistrimi i vendimit, shtypja e vendimit, etj. Në përfundim, dosja ku është lidhur edhe vendimi i Kolegjit, i dërgohet Gjykatës së Rrethit që i takon