GJYKATA E RRETHIT GJYQËSOR LEZHË

 

 

Kontakt :   sekretaria.gjykatalezhe@gjykata.gov.al

 

                   njoftime.gjykatalezhe@gjykata.gov.al

 


N J O F T I M


Të dashur bashkëqytetarë !

 

Në vijim të vendimit që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë në datën 27 prill 2020, në interes të informimit të vazhdueshëm të publikut dhe të medias, sqarojmë si më poshtë:

Ditën e hënë, datë 27 prill 2020, gjykatat do të rifillojnë veprimtarinë e tyre, por në mënyrë të kufizuar, sipas dhe në respektim të përcaktimeve të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 16.04.2020.

Seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat.

Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara.

Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë ngutshme. Ato do të kryejnë edhe çdo aktivitet tjetër gjyqësor që nuk kufizohet nga fusha e veprimit të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, si dhe që është i mundur të kryhet në kushtet e kufizimeve të vendosura për popullatën në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Ju lutemi të paraqiteni pranë gjykatave VETËM nëse keni një çështje të ngutshme, kur diçka e tillë ju është komunikuar prej personelit të gjykatës. Nëse nuk ju kanë kontaktuar nga gjykata, komunikoni me gjykatën nëpërmjet telefonit/postës elektronike (e-mail), përpara se të paraqiteni fizikisht pranë saj.

Të gjitha gjykatat duhet të respektojnë rigorozisht masat e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Në këto masa përfshihen dezinfektimi, pastrimi i rregullt, mbajtja e distancës prej 2 metrash midis të gjithë individëve në gjykatë, si midis personelit gjyqësor, ashtu edhe përdoruesve të gjykatës, marrja e masave për pajisjet mbrojtëse personale, si maska, doreza, etj. Në lidhje me këto, Këshilli po përgatit rregulla të hollësishme.

Një komision i posaçëm është krijuar dhe po punon intensivisht për për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Qëllimi i hartimit të planit të punës është rikthimi iveprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në mënyrë graduale, duke patur si prioritet mbrojtjen sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave.
Pas marrjes së vendimeve, Këshilli do vijojë publikimin e përditësimeve përkatëse. Këshilli do të punojë me çdo gjykatë sipas nevojave, si dhe do të përgatisë një plan veprimi dhe udhëzime për të vënë sërish në punë gjithnjë e më tepër elementë të shërbimeve gjyqësore në të gjithë vendin, në rrugën më të sigurt të mundshme.


Shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë është po aq e rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj.


Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron shëndet dhe siguri!


Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:

Faqet zyrtare të Gjykatave

Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)

Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )

Dhoma Kombëtare e Avokatisë (http://www.dhka.org.al)

 

 

 

 

Mirësevini në faqen zyrtare të internetit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Ideja dhe qëllimi ynë është që nëpërmjet kësaj faqe të ofrojmë një informacion të plotë mbi, funksionimin dhe aktivitetin e këtij institucioni, pasi ndjejmë një detyrim qytetar për ta bërë Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë një institucion transparent, të afërt, të prekshëm dhe sa më të besueshëm për publikun. 

Në shoqërinë tonë demokratike, çdo gjë që i përket funksionimit të institucioneve publike dhe për rrjedhojë ndikimi i aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre në jetën e individit dhe të shoqërisë, mundet dhe duhet jetë objekt komunikimi.Informacioni prodhon njohjen dhe njohja favorizon pjesëmarrjen aktive në jetën demokratike të secilit prej nesh.

Përditësimi i vazhdueshëm i faqes së internetit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, duke e pasuruar atë me më shumë instrument të rinj për kërkimin e informacionit, është në harmoni me nevojën e modernizimit të imazhit të drejtësisë dhe me përpjekjet për të qenë në të njëjtin hap me zhvillimet e teknologjisë së informacionit.

Për Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë  transparenca e veprimtarisë së saj mbetet një angazhim kryesore dhe ky është një prej motiveve më serioze të përpjekjeve tona për të përfshirë në këtë faqe interneti një informacion sa më të dobishëm, i cili do t’i vinte në ndihmë të gjithë vizitorëve që dëshirojnë ta konsultojnë atë me publikun, duke veçuar këtu mediat që, në pjesën më të madhe të rasteve, janë përcjellëset më të shpejta të vendimeve tona tek opinioni publik.

MISIONI

Gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë, e cila e shtrin juridiksionin e saj në rrethet Lezhë dhe Mirditë, vepron si shkallë e parë për gjykimin e mosmarrëveshjeve penale, civile, familjare etj, në çështje konkrete, nepërmjet interpretimit gjyqësor të normave juridike dhe fakteve, të mishëruara në vendimet gjyqësore.

 

VIZIONI

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në një periudhë të shkurtër, synon:

•   Përmbushjen e standarteve kohore dhe cilësore të gjykimeve.
•   Njohjen dhe zbatimin e vendimet e GJEDNJ, duke promovuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
•   Të rrisë performancën e besueshmërinë në sytë e publikut.
•   Forcimin e kapaciteteve të menaxhimit administrativ dhe financiar, nëpermjet plotësimit të korpusit të  rregullave të brendëshme administrative dhe monitorimit të zbatimit të tyre.
•   Krijimin e një ambienti funksional pune dhe shërbimi.
•   Ndjekjen dhe adaptimin e vazhdueshëm të teknologjive të reja informatike.

 

VLERAT

Në punën e saj, Gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë udhëhiqet nga e drejta, e vërteta, ligjshmëria, ndershmëria, përgjegjshmëria, përkushtimi, pavarësia dhe paanësia, bashkëpunimi, transparenca, efikasiteti, barazia, efektshmëria dhe kurajoja.

 

ORARI I KRYERJES SË VEPRIMEVE ME PUBLIKUN

                                HENE - PREMTE

 

ORARI                                    VEPRIMET

______________________________________________________________________________________________ 

12:00 - 14:00                  Dorëzim ankimesh/kërkesë padi/tërheqje
                                             vërtetimesh etj, për qytetarët          

______________________________________________________________________________________________

14:00 - 14:30                   Dorëzim ankimesh/kërkesë padi/tërheqje
                                              vërtetimesh etj, për avokatët